Shqipëria në ditën e katërt të përmbytjeve: 13 211 ha tokë dhe 1 587 banesa nën ujë, Rama premton kompensim të dëmeve

Shqipëria vijon të përballet me pasojat e motit të keq, ndërsa vendi ndodhet në ditën e katërt të përmbytjeve masive. Sipas bilancit zyrtar të bërë publik në mbledhjen e Këshillit të Emergjencave Civile, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, deri më tani janë përmbytur 13 211 hektarë tokë bujqësore dhe 1 587 banesa në disa qarqe të vendit.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se për përballimin e situatës janë vënë në dispozicion 50 milionë euro dhe garantoi se banorët e prekur do të dëmshpërblehen për dëmet e shkaktuara. Ndërkohë, në disa zona raportohet përmirësim gradual i situatës, me nisjen e tërheqjes së ujit.

Durrësi mbetet zona më problematike

Qarku i Durrësit vijon të jetë ndër më të prekurit. Në zonën e Durrësit të Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave civile dhe grupet e shërbimit ndodhen në terren, duke punuar për normalizimin e situatës. Deri tani, në këtë qark janë konstatuar 2 380 banesa të prekura nga përmbytjet.

Aktualisht, 356 persona janë evakuuar, nga të cilët 123 janë akomoduar në hotele, ndërsa 304 persona janë strehuar në dy konvaleshencat e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Në Sukth, situata paraqitet disi më e lehtësuar. Në zonën e Vadardhës, uji ka nisur të tërhiqet, por autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të pasojave të shumta. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, ku 76 janë strehuar në hotele dhe 246 pranë familjarëve.

Rënie e prurjeve të Vjosës, por problematika vijojnë

Prurjet e lumit Vjosa kanë shënuar rënie gjatë natës. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i ujit në Urën e Mifolit ka zbritur në 8.4 metra, duke bërë që uji të tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në zonën e Bishanit, ku nënkalimi vijon të jetë i mbuluar nga rreth 2 metra ujë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.

Në qarkun e Fierit, situata hidrometeorologjike paraqitet më e qëndrueshme, me ulje të niveleve të lumenjve dhe funksionim normal të infrastrukturës kryesore.

Vështirësi edhe në Korçë dhe Gramsh

Situata mbetet problematike edhe në qarkun e Korçës, ku reshjet e shiut, borës dhe temperaturat e ulëta kanë krijuar vështirësi në disa zona. Probleme janë evidentuar edhe në bashkinë Gramsh, ku moti i keq ka sjellë ndërprerje të energjisë elektrike dhe bllokim të disa fshatrave për shkak të dëborës.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë vendin, ndërsa strukturat e emergjencave civile mbeten në gatishmëri për të përballuar çdo përkeqësim të mundshëm të kushteve atmosferike