Kur çmimi i naftës krahasohet me të ardhurat e qytetarëve, Shqipëria rezulton vendi me barrën më të lartë të karburantit në Europë.Një litër naftë kushton 7.2 për qind të të ardhurave ditore
Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në statistikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të ardhurat për frymë dhe çmimet e karburanteve sipas Global Petrol Price, tregojnë se Shqipëria ka barrën më të lartë të karburantit në Europë në raport me fuqinë blerëse.
Sipas projeksioneve të FMN-së, të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri për vitin 2026 janë rreth 12 mijë dollarë në vit, ose rreth 33 dollarë në ditë. Ndërkohë, një litër naftë në tregun vendas kushton rreth 200 lekë, ose afërsisht 2.4 dollarë. Kjo do të thotë se një qytetari shqiptar i duhen rreth 7.2 për qind e të ardhurave ditore për të blerë një litër karburant. Kjo peshë rezulton më e larta ndër vendet europiane të përfshira në analizë.
Dyfish më e lartë se rajoni
Në krahasim me vendet e rajonit, barra e karburantit në Shqipëri është të paktën dy herë më e lartë. Në Serbi një litër karburant përfaqëson rreth 3.7 për qind të të ardhurave ditore, në Mal të Zi rreth 3.6 për qind dhe në Rumani rreth 2.8 për qind. Edhe në Greqi, një nga tregjet më të shtrenjta të karburantit në Europë në vlerë nominale, pesha e tij ndaj të ardhurave është rreth 2.5 për qind.
Ndërkohë, në ekonomitë më të zhvilluara europiane diferenca është edhe më e theksuar për shkak të të ardhurave më të larta. Në Itali, Francë, Gjermani apo Belgjikë një litër karburant përfaqëson zakonisht më pak se 2 për qind të të ardhurave mesatare ditore.
Holanda, e cila ka një nga çmimet më të larta nominale të karburantit në Europë, kërkon vetëm rreth 1.1 për qind të të ardhurave ditore për të blerë një litër, rreth shtatë herë më pak se në Shqipëri.
Taksa të larta dhe reflektim i ngadaltë i uljeve
Një nga arsyet kryesore për çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri është pesha e taksave, të cilat përbëjnë rreth 60 për qind të çmimit final. Në këtë përfshihen akciza rreth 37–38 lekë për litër, taksa e qarkullimit rreth 27 lekë për litër, taksa e karbonit rreth 3 lekë për litër dhe TVSH prej 20 për qind.
Një faktor tjetër lidhet me mënyrën se si reflektohen ndryshimet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sipas raportimeve të Monitor, rritjet e çmimeve në bursat ndërkombëtare reflektohen shpejt në tregun vendas, ndërsa uljet zakonisht transmetohen më ngadalë.
Kjo dinamikë ndikon edhe në normat e fitimit të kompanive të sektorit. Në periudhat kur çmimet ndërkombëtare bien, operatorët kanë më shumë hapësirë për të manovruar me çmimet, pasi reflektimi në tregun vendas është më i ngadaltë.










