Ballina Shqiperia ime Shqipëria, e para në Evropë për flukset turistike

Shqipëria, e para në Evropë për flukset turistike

Edhe në tremujorin e parë të 2025, Shqipëria është renditur e para në Evropë për sa i përket mbërritjeve ndërkombëtare të turistëve.

Sipas të dhënave nga raporti i Kombeve të Bashkuara, i cili u publikua në Baku, Azerbajxhan, gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Europën të UN Tourism, ku Shqipëria mori pjesë si anëtare me të drejta të plota, vendi ynë kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike.

Në krahasim me periudhën para-pandemike, pra me vitin 2019, Shqipëria ka pasur një rritje me 136% të mbërritjeve ndërkombëtare të turistëve, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama dhe Minstrja e Turizimit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro janë shprehur se ky është një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm, që ishte edhe fokusi i diskutimeve gjatë mbledhjes së Komisionit për Evropën si pjesë e Deklaratës së Bakusë dhe Shqipëria ishte aty, jo vetëm për të dëgjuar, por për të ndarë eksperiencën e saj si një histori suksesi që frymëzon.

Vendi ynë radhitet në 10 destinacionet turistike që po performojnë më mirë edhe në 2025. Në listën e publikuar nga UN Tourism, pas Shqipërisë renditen Republika e Moldavisë me një rritje prej 76% të flukseve turistike në krahasim me 2019, Malta, Norvegjia, Serbia, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, San Marino. Shqipëria ka lënë pas edhe vendi si Greqia apo Portugalia, të cilat kanë qenë prej vitesh polet turistike të Evropës.