Shqipëria e mbyll aventurën në gjysmëfinalen e “play-off”-it të Botërorit, pasi u mposht 2-1 nga Polonia në Varshavë, në një sfidë me dy tablo të ndryshme loje.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku vendasit u shfaqën menjëherë të rrezikshëm me Robert Levandovskin, por pa arritur të konkretizojnë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo reaguan me kundërsulme të shpejta, duke dhënë sinjale pozitive në fazën ofensive.
Në fundin e pjesës së parë, një gabim në prapavijën polake u shfrytëzua në maksimum nga Arbër Hoxha, i cili dribloi portierin dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Shqipërisë dhe duke mbyllur 45-minutëshin e parë në epërsi për kuqezinjtë.
Në pjesën e dytë, Polonia reagoi dhe përmbysi rezultatin, duke siguruar kualifikimin, ndërsa Shqipëria mbetet jashtë garës për një biletë në Botëror.








