Ballina Shqiperia ime Shmangu 3.7 mln € të ardhura nga tatimet, prokuroria dërgon në gjyq ‘Buzi Store’ për evazionin...

Shmangu 3.7 mln € të ardhura nga tatimet, prokuroria dërgon në gjyq ‘Buzi Store’ për evazionin fiskal 

Gavel And Scales Of Justice On Desk In Law Office

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq subjektin tregtar ‘Buzi Store’ për veprën penale ‘Fshehje e të ardhurave’. 

Në përfundim të hetimeve në lidhje me procedimin penal nr. 8744 të vitit 2024, rezultoi se kompania në fjalë ka shmangur rreth 3.7 milionë euro të ardhura, duke i fshehur ato nga autoritetet tatimore, veprimtari e cila përbën veprën penale të “fshehjes së të ardhurave”, e kryer në bashkëpunim me ekonomistin e subjektit.

Në kuadër të hetimit të procedimit penal nr. 8744, të vitit 2024, pas një pune hetimore disa mujore me metoda speciale në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u bë i mundur zbulimi dhe ndalimi i këtij evazioni fiskal të shkallës së gjerë nga subjekti tregtar ‘Buzi Sport’.

Gjatë hetimit, u ushtruan kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin ‘Buzi Sport’ dhe shoqërinë e fiskalizimit, ku u sekuestruan provat materiale që përfshijnë njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta dhe vlera monetare në valuta të ndryshme që arrijnë në 8,000,000 lekë, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.

Hetimet treguan se ‘Buzi Sport’ përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore. Ky sistem, që operonte përmes platformës online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat përmbanin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe ishin të pa fiskalizuara. Në disa raste, subjekti lëshonte fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore.