Bazuar në të dhënat më të fundit të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit për vitin 2024 është vlerësuar në rreth 2.51 trilionë lekë ose afërsisht 25.2 miliardë euro. Shifra të thata në letër të cilat shpesh nuk arrijnë të përkthehen qartë në kuptimin e përditshëm. Në këtë kuadër, ideja është që ta shohim ekonominë shqiptare në një mënyrë ndryshe, pra sa vlen ajo në një ditë. Duke e thjeshtuar përllogaritjen, rezulton se ekonomia shqiptare prodhon rreth 69 milionë euro në ditë. Pra, në çdo 24 orë të një viti, kjo është vlera monetare që gjeneron ekonomia e vendit.
Brenda kësaj panorame, Tirana mban peshën kryesore të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve. Sipas të dhënave mbi shpërndarjen e PBB-së sipas qarqeve, kryeqyteti gjeneron 43% të ekonomisë kombëtare. Përkthyer në shifra, kjo do të thotë se vetëm ekonomia e Tiranës prodhon rreth 10.8 miliardë euro në vit. Ose, në terma të përditshëm, Tirana vlen rreth 29.6 milionë euro në ditë. Pra, gati gjysmën e prodhimit të gjithë vendit e përqendron një qytet i vetëm, duke e bërë kryeqytetin jo vetëm qendër administrative e politike, por edhe motorin real të ekonomisë shqiptare.
Kur analizojmë aktivitetet ekonomike që mbajnë peshën më të madhe në ekonominë shqiptare, del në pah se tregtia, transporti dhe shërbimet ushqimore janë motorët kryesorë. Ndërtimi është gjithashtu një sektor kyç, duke gjeneruar rreth 300 miliardë lekë, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi japin po ashtu një shtysë të forte.
E vendosur në një kontekst rajonal, kjo shifër merr një tjetër kuptim. Shqipëria, me 69 milionë euro prodhim në ditë qëndron në një nivel më të lartë se disa nga fqinjët e saj të afërt. Maqedonia e Veriut prodhon rreth 16.7 miliardë euro në vit, çka përkthehet në rreth 46 milionë euro në ditë. Kosova, me një ekonomi rreth 11.2 miliardë euro, arrin të prodhojë 31 milionë euro në ditë. Ndërkohë, Mali i Zi, me një PBB rreth 8.1 miliardë euro, gjeneron rreth 22 milionë euro në ditë. Në këtë grup, Shqipëria jo vetëm që del përpara, por edhe e zgjeron ndjeshëm diferencën me kalimin e viteve.
Por më tej në rajon, përballë ekonomive më të mëdha, panorama ndryshon. Bosnja Hercegovina prodhon rreth 28.3 miliardë euro në vit ose 78 milionë euro në ditë, duke u pozicionuar mbi Shqipërinë. Serbia mbetet në një kategori tjetër, me një ekonomi që arrin mbi 81 miliardë euro, çka i jep një prodhim të përditshëm prej 224 milionë euro.