Emigrantët shqiptarë që kthehen në vend dërgojnë më shumë remitanca gjatë periudhës së emigrimit krahasuar me ata që janë ende jashtë. Ndërkohë sipas Anketës së Emigracionit, emigrantët aktualë dërgojnë më pak para, pasi lidhjet e tyre me vendin gradualisht dobësohen me kalimin e kohës.
Rreth 40% e emigrantëve kanë dërguar remitanca gjatë qëndrimit jashtë vendit, me përqindje më të lartë tek emigrantët e kthyer. Emigrantët meshkuj janë pothuajse dy herë më të prirur të dërgojnë remitanca sesa femrat, ndërsa kjo prirje rritet me moshën dhe kulmon në grupmoshën 45–64 vjeç. Niveli arsimor ndikon gjithashtu, pasi emigrantët me arsim të mesëm dërgojnë më shpesh remitanca krahasuar me ata me arsim të lartë.
Sjellja ndaj remitancave rezulton të jetë e lidhur ngushtë me aftësinë për të kursyer gjatë përvojës së emigrimit. Të dhënat tregojnë se emigrantët e kthyer që kanë dërguar transferta parash gjatë qëndrimit jashtë vendit kanë qenë në gjendje të kursejnë mesatarisht 50% më shumë krahasuar me ata që nuk kanë dërguar remitanca, konkretisht 450 dollarë amerikanë kundrejt 300 dollarëve.
Një prirje e ngjashme vërehet edhe tek emigrantët që aktualisht ndodhen jashtë vendit, megjithëse diferenca në nivelin e kursimeve është më e vogël. Po ashtu, emigrantët e kthyer që dërguan remitanca rezultojnë më afër përmbushjes së pritshmërive të tyre për kursim. Ata arritën të kursejnë rreth 76% të shumës që kishin planifikuar, ndërsa emigrantët që nuk dërguan remitanca kursyen vetëm 42% të pritshmërive të tyre.
Në përgjithësi, individët që arritën të kursenin para kishin prirje më të ulëta për kursime, mesatarisht 535 dollarë, krahasuar me 649 dollarë për ata që nuk arritën të kursejnë, duke nxjerrë në pah një mospërputhje mes objektivave financiare dhe rezultateve reale.
Përvoja ndërkombëtare tregon se remitancat janë më të larta në vitet e para të emigrimit, por bien me kalimin e kohës, ndërsa ata që synojnë kthimin mbajnë lidhje më të forta familjare dhe vazhdojnë të mbështesin financiarisht familjet e tyre në vendin e origjinës.










