Sa na kushton interneti celular? Ku renditet Shqipëria?!

Komunikimi dhe interneti në celular janë kthyer në një nga shpenzimet fikse mujore për shumicën e qytetarëve. Por sa paguajmë realisht për këto shërbime dhe si pozicionohet Shqipëria krahasuar me vendet e tjera?

Sipas analizës së “Scan Intel” dhe të dhënave nga Data Hub, një ofertë celulare në Shqipëri kushton mesatarisht rreth 16 dollarë në muaj. Në terma vjetorë, kjo përkthehet në afro 192 dollarë për çdo qytetar.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet në të njëjtin nivel çmimesh, ndërsa në Evropë kontrasti është i madh mes vendeve me të ardhura të larta dhe atyre në zhvillim.

Zvicra kryeson listën e vendeve me ofertat celulare më të shtrenjta në kontinent, me një mesatare prej 44 dollarë në muaj. Megjithatë, për shkak të fuqisë së lartë blerëse, kjo kosto konsiderohet e përballueshme për qytetarët. Në të njëjtën linjë renditen edhe vendet nordike, ku tarifat janë të larta, por të balancuara me nivelin e të ardhurave.

Pas tyre vijnë vendet e Ballkanit, të cilat, ndonëse nuk kanë çmimet më të larta në Evropë, përballen me një barrë relativisht të rëndë për konsumatorët, për shkak të pagave më të ulëta.

Në shkallë globale, Grenlanda dhe Turkmenistani renditen ndër vendet me shërbimet celulare më të shtrenjta në botë.

Në Grenlandë, me vetëm rreth 56 mijë banorë të shpërndarë në zona të izoluara, operatorët përballen me kosto shumë të larta infrastrukturore. Për më tepër, një pjesë e madhe e territorit mbulohet nga lidhje satelitore për shkak të kushteve ekstreme klimatike, duke e bërë internetin më të kushtueshëm dhe më të kufizuar.

Në Turkmenistan, arsyeja kryesore e çmimeve të larta lidhet me mungesën e konkurrencës, pasi në treg operon pothuajse vetëm një operator shtetëror.

Në anën tjetër të spektrit ndodhen India, Somalia dhe Nigeria, ku paketat celulare kushtojnë shpesh më pak se 5 dollarë në muaj. Çmimet e ulëta shpjegohen nga baza shumë e madhe e përdoruesve, që u mundëson operatorëve të shpërndajnë kostot në një treg masiv dhe të ofrojnë tarifa minimale.