Ballina Shqiperia ime Sa investuan bashkitë për banor?Fieri ka shpenzuar me pak

Sa investuan bashkitë për banor?Fieri ka shpenzuar me pak

Kompetencat e pushtetit vendor për shërbimet dhe investimet publike janë mjaft të rëndësishme për cilësinë e jetës së qytetarëve.  Por si kanë shpenzuar bashkitë për investime të cilat përmirësojnë jetën e tyre dhe kush ka përfituar më shumë?

Referuar raportit të financave vendore 2024, sa i takon shpenzimeve për investime për banor, në vendin e parë renditet Bashkia e Kamzës me afro 130 euro për frymë.  Listën e pason Përmeti me 99 euro për banor, ndjekur nga Vora, Poliçani dhe Librazhdi me rreth 83  euro për banor. Më pas renditet Lezhë, Tiranë, Malësi e Madhe dhe Klos me afro 71 euro për frymë.

Ndërsa në listën e bashkive që kanë shpenzuar më pak për investime publike,  Libohova, Kurbini, Kavaja me vetëm 12 euro për banor dhe Fieri me 10 euro.

Sa i takon ndarjes së shpenzimeve sipas kategorive, në vitin 2024, peshën më të madhe e zë funksioni “Shërbime të përgjithshme publike” në rreth 21% me një rritje prej 1% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, funksioni i dytë më i rëndësishëm është “Çështjet ekonomike” me rreth 19.8% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor, ky funksion krahasuar me një vit më parë ka një rënie prej 1%.

Konstatohet që në tre funksione si “Shërbimet e përgjithshme publike”, “Çështjet ekonomike” dhe “Arsimi”, pushteti vendor gjatë vitit 2024 ka shpenzuar rreth 60% të totalit të shpenzimeve vendore. Kjo evidenton qartë fokusin në ato funksione të cilat ofrojnë shërbime që prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve.

Shpenzimet në nivel funksioni në vitin 2024, me përjashtim të funksionit të shëndetësisë i cili zë një peshë të papërfillshme në buxhetin vendor, kanë patur rritje krahasuar me një vit më parë. Mbështetja e fortë e politikave sociale që jep pushteti vendor është reflektuar në rritjen prej 23% të shpenzimeve të këtij funksioni në vitin 2024.

Ndërkohë një rritje tjetër e rëndësishme lidhet me dy funksione që kanë peshë të madhe në buxhetin vendor që lidhen me shërbimet e përgjithshme publike dhe arsimin, ku të dy këto funksione janë rritur përkatësisht 11% dhe 12% në krahasim me një vit më parë. Rritja e mbështetjes për ato funksione ku janë të përqëndruara shërbimet kryesore publike tregon nevojën që pushteti vendor ka për më shumë burime të decentralizuara dhe autonomi financiare.