Nga 1 Janari 2026 pronat në Shqipëri do të kushtojnë më shtrenjtë. Projektligji i Ministrisë Financave që përcakton çmimet e reja të referencës në 12 qarqe të vendit, përjashtuar vetëm Bashkinë Tiranën, së shpejti do të shkojë për diskutim në komisionet parlamentare për t’i hapur rrugë miratimit dhe hyrjes në fuqi.
Por sa do të jenë çmimet e reja dhe në cilin qark blerja e një pasurie të paluajtshme do të jetë më pak apo më shumë e kushtueshme?
Referuar draftit, qarku më i lirë ku mund të blihet një banesë nga viti i ardhshëm është Shkodra, ku çmimi minimal nis nga 10.500 lekë/m2 për Bashkinë Fushë-Arrëz deri në 75.000 lekë/m2 në bashkinë Shkodër.
Në qarkun Gjirokastër çmimi minimal nis nga 17,000 lekë/m2 në Memaliaj dhe arrin maksimalen deri në 63.000 lekë/m2 në Gjirokastër.
Në qarkun Berat, çmimi minimal nis me 26.000 lekë/m2 në bashkinë Skrapar deri në 55 mijë lekë/m2 në qytetin e Beratit.
Në qarkun e Fierit mund të blihet një banesë që nis me çmimin 32.000 lekë/m2 në Patos dhe arrin deri në 62.000 lekë/m2 në qytetin e Fierit.
Në qarkun e Korçës, Kolonja ka çmimet më të lira zyrtare të shitjes së pronës, regjistruar në 31,300 lekë/m2, duke arritur maksimalen në zonë e parë të bashkisë së Korçës me 70.000 lekë/m2.
Për qarkun Kukës nis nga 32.000 lekë/m2 në qytetin Bajram Curri në 58.000 lekë/m2 në Kukës.
Në qarkun Lezhë nga 36.000 lekë/m2 në Milot në 70.000 lekë/m2 në Shëngjin.
Në qarkun Dibër çmimet e referencës janë përcaktuar nga 40 mijë lekë/m2 në Klos deri në 52 mijë lekë/m2 në Peshkopi.
Për Qarkun Elbasan nga 40.000 lekë/ m2 në Belsh deri në 60.000 lekë/m2 në qytetin Elbasan.
Për qarkun Durrës nga 43.000 lekë/ m2 në qytetin e Shijakut në 200 mijë lekë/ m2 në zonën 13 të qytetit Durrës.
Për qarkun Vlorë nga 31 mijë lekë në Finiq në 200 mijë lekë/m2 në zonën 7 të Vlorës, që korrespondon me ishullin e Sazanit.
Ndërkohë në qarkun Tiranë, çmimet ndryshojnë për Kamzën, Rrogozhinën, Vorën dhe Kavajën, ku më të lira janë në Rrogozhinë në 46.000 lekë/m2 dhe çmimi më i larë arrin në Kamëz, deri në 75 mijë lekë/m2. Ndërsa çmimet referencë brenda qytetit të Tiranës aktualisht aplikohen deri 228 mijë lekë/m2 në njësinë nr 5.
Sipas metodologjisë, çmimet mesatare referuese janë bazuar mbi shitblerjet e 4 viteve të fundit, vendndodhjen dhe sistemin urban dhe një parashikim për tendencat e ardhshme të tregut imobiliar. Ato janë të kategorizuara në lloje pasurie si: ndërtesë, shtëpi, apartament, garazh, bodrum dhe njësi tregtare.
Çmimi për metër katror për njësitë tregtare, të shërbimit ose të prodhimit brenda ndërtesave është 1.5 herë më i lartë se çmimi referues i zonës së vlerës ku ato ndodhen, ndërsa për Tiranën kjo kategori është dy herë më e lartë. Mbi çmimet referencë të përcaktuara nga Ministria e Financave, Këshillat Bashkiake do të kenë të drejtë të lëvizin plus minus 30%.