Përmirësimi i aksesueshmërisë dhe infrastrukturës së turizmit të aventurës në Alpet e Shqipërisë është investimi i radhës që pritet të realizohet në veri të vendit, me fokus ndërhyrjet në rrugë në një nga zonat me potencialin më të madh turistik në Shqipëri.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka nënshkruar një kontratë me vlerë rreth 3.63 milionë euro me bashkimin e operatorëve BE-IS dhe Ergi shpk, të cilët do të kryejnë punimet në terren. Sipas të dhënave, afati i përfundimit të punimeve është janari i vitit 2027.
Ky aks rrugor është pjesë e Projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një shumë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga kredia sovrane prej 60 milionë euro e dhënë nga BERZH për qeverinë shqiptare. Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Më herët, janë lidhur edhe kontrata të tjera të ngjashme, ndër to ajo me vlerë 1.52 milionë euro për rehabilitimin e segmentit rrugor nga rrethrrotullimi i Sop-it deri në Urën e Darzezës. Ky segment, që ndodhet në zonën e Semanit, nis në kryqëzimin me Rrugën Kombëtare Fier–Vlorë (rrethrrotullimi Apollonia), vazhdon përgjatë aksit rrugor Hoxharë dhe përfundon në Urën e re të Darzezës.
Paralelisht, në kuadër të këtij programi, BERZH ka zhvilluar edhe tenderë për përmirësimin e rrjetit elektrik në Alpet e Shqipërisë, duke synuar rritjen e aksesit në energji elektrike dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të zonës.