Rritje e re pagash për mjekët dhe infermierët

Bluzat e bardha janë rikthyer sërish në vëmendjen e qeverisë. Gjatë konferencës së fundvitit, kryeministri Edi Rama njoftoi se mjekët dhe infermierët do të përfitojnë rritje page, e cila parashikohet të arrijë deri në 135 euro në muaj, sipas kategorive. Në skemën e re do të përfshihet edhe njohja dhe vlerësimi i vjetërsisë në punë.

Kjo nuk është hera e parë që pagat e personelit shëndetësor rriten. Në vitin 2017, mjekët e urgjencës, reanimacionit dhe shërbimeve të ngjashme përfituan rritje prej 18 mijë lekësh në muaj, ndërsa infermierët dhe teknikët e laboratorëve në urgjencë 12 mijë lekë. Po atë vit, pagat për mjekët në Qendrat Spitalore Universitare u rritën me 6,000–8,000 lekë për mjekun e parë dhe 5,600–7,600 lekë për mjekun e dytë.

Në vitin 2018 u aplikua një tjetër rritje prej 5%. Ndërsa në vitin 2021, në kuadër të mbështetjes për pandeminë Covid-19, pagat e mjekëve dhe infermierëve u rritën me 40%. Si rezultat, paga mesatare bruto e infermierëve u rrit nga 50,890 lekë në 65,700 lekë.

Nga 1 korriku 2022 u aplikua një rritje prej 6%, e ndjekur nga një tjetër rritje prej 7% në vitin 2023. Në vitin 2024, qeveria miratoi një paketë të re, e shoqëruar me riformatim të plotë të skemës së pagave, duke shfuqizuar skemën e vitit 2011.

Këto masa janë prezantuar ndër vite si pjesë e përpjekjeve për forcimin e sistemit shëndetësor dhe mbajtjen e burimeve njerëzore, në një kohë kur Shqipëria përballet me presion të vazhdueshëm mbi stafet, veçanërisht në specialitete dhe shërbime kyçe.