Rritja e kostos së jetesës shton pasigurinë financiare tek të rinjtë

Kostoja e jetesës vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për të rinjtë në mbarë botën. Sipas raportit global “Gen Z and Millennial Survey 2025” të kompanisë Deloitte, për të katërtin vit radhazi rritja e çmimeve dhe shpenzimet e përditshme kryesojnë listën e shqetësimeve për brezat e rinj.

Studimi tregon se po rritet edhe ndjenja e pasigurisë financiare. Pothuajse gjysma e të rinjve shprehen se nuk ndihen të sigurt ekonomikisht: 48% e brezit Gen Z dhe 46% e millennials deklarojnë se situata e tyre financiare është e pasigurt.

Në të njëjtën kohë, më shumë se gjysma e tyre jetojnë nga paga në pagë, duke e pasur të vështirë të kursejnë apo të planifikojnë për të ardhmen. Presioni i kostove të përditshme po ndikon drejtpërdrejt edhe në mirëqenien personale.

Sipas raportit, vetëm 36% e Gen Z dhe 39% e millennials që shqetësohen për koston e jetesës thonë se janë ndjerë të lumtur gjatë vitit të fundit, çka tregon se presioni ekonomik po reflektohet edhe në gjendjen emocionale të të rinjve.

Ndërkohë, tetë në dhjetë të rinj shprehen se si financat e përditshme, ashtu edhe e ardhmja e tyre financiare afatgjatë janë një burim i vazhdueshëm stresi. Nëse rritja e kostos së jetesës vijon, ekspertët paralajmërojnë se pasiguria financiare mund të ndikojë gjithnjë e më shumë në vendimet e të rinjve për karrierën, kursimet dhe planet për të ardhmen.