Rritja e çmimit të naftës godet bujqësinë shqiptare

Rritja e çmimit të naftës po sjell pasoja negative mbi bujqësinë shqiptare,  në periudhën më intensive të saj.

Sipas analizës së fundit të bërë nga ALTAX, nafta ka arritur deri në 179 lekë/litër për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme .  Dhe si pasojë, llogaritet rritje e kostos së prodhimit bujqësor me 20-30%. Po ashtu, ALTAX thekson se për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, parashikohet ulje e prodhimin me 10-20%, sikurse ndodhi në krizën e Ukrainës ku pati rënie 15% sipas INSTAT, dhe po ashtu  shtrenjtohen inputet si plehrat, farat e pesticide.

Analiza evidenton se së pari, bujqësia në fushë dhe në sera preket më shumë dhe më shpejt nga të tjerat, për masivitetin që ka në ekonomi direkt dhe e ndërlidhur me sektorë të tjerë. Në bujqësinë në fushë, rritja e çmimeve të naftës rrit kostot për traktorët, makineritë e mbjelljes dhe korrjes, si dhe për transportin e prodhimeve në treg. Nga përvoja e krizës së Ukrainës, ku çmimi i naftës u dyfishua, fermat shqiptare panë një rritje të kostove të karburantit me 25–40%, duke çuar në ulje të sipërfaqeve të mbjella me drithëra si gruri apo misri, dhe një rënie të prodhimit me 10–15% në zonat si Fieri apo Korça.

Në sera, ku energjia është kritike për ngrohje dhe ujitje (shpesh me pompa që varen nga karburanti ose energjia elektrike e ndikuar indirekt nga nafta), kostot operative rriten ndjeshëm, duke ulur marzhet e fitimit dhe duke çuar në çmime më të larta për perimet dhe frutat. Ndikimi është më i fortë në sera për shkak të intensitetit energjetik, duke prekur prodhimin sezonal dhe eksportet.

Sektori i përpunimit agro-ushqimor preket nga rritja e kostove të transportit për lëndët e para (si drithërat apo frutat) dhe energjisë për makineritë e përpunimit (p.sh., mullinj, konservatore). Kjo çon në rritje të çmimeve të produkteve finale si mielli, vaji apo konservat, duke amplifikuar inflacionin ushqimor dhe duke ulur kërkesën nga konsumatorët. Nga përvoja e inflacionit në 2022, kur çmimet e energjisë u rritën, fabrikat e miellit në Shqipëri panë një rritje të kostove me 30%, duke çuar në falimente të vogla dhe rritje të çmimeve të bukës me 20%. Blegtoria & akuakultura  po ashtu parashikohet të kenë një rënie me prodhimi deri 25%.

Për këtë arsye ALTAX propozon marrjen e masave të cilat amortizojnë rritjen e çmimeve siç mund të jenë  kuponë/rimbursime për naftë bujqësore (20-30% e kostos); Grante për panele diellore në ujitje e sera; Rezerva shtetërore për plehra & fara; Kredi të buta për makineri moderne/hibride; Përmirësim i infrastrukturës rurale.