Rritja e çmimit të karburanteve shton interesin për makinat elektrike në Fier

Teksa çmimet e karburanteve vijojnë të rriten, gjithnjë e më shumë qytetarë në Fier po orientohen drejt përdorimit të automjeteve elektrike si një alternativë më ekonomike.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor, çdo ditë në Fier regjistrohen mesatarisht 5-6 automjete të reja elektrike, të importuara kryesisht nga Koreja e Jugut, Kina, por edhe nga vende europiane si Gjermania.

Aktualisht, në qarkun Fier janë në përdorim mbi 1,000 automjete elektrike, një shifër që tregon trendin ne rritje te maminave elektrike ne 5 vitet e fundit.

Përdoruesit kryesorë mbeten shoqëritë e transportit taksi, të cilat po i drejtohen makinave elektrike për shkak të kostove më të ulëta të operimit. Megjithatë, vihet re një rritje edhe e interesit nga bizneset dhe individët, të cilët po i shohin këto mjete si një investim afatgjatë dhe më miqësor me mjedisin.

Ekspertët vlerësojnë se kjo tendencë pritet të vijojë, veçanërisht nëse çmimet e karburanteve mbeten të larta në treg.