Rritja e çmimeve të karburanteve, qeveria po shqyrton uljen e akcizës me 20%

Pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve në Tiranë dhe në mbarë vendin, qeveria po shqyrton rikthimin e Bordit të Transparencës, si dhe uljen me 20% të akcizës për naftën dhe benzinën.

Në disa pika karburanti, nafta ka arritur deri në 217 lekë për litër, duke u rritur me rreth 15 lekë brenda një periudhe të shkurtër. Për të frenuar këtë situatë, pritet që në ditët në vijim të riaktivizohet Bordi i Transparencës, i cili do të vendosë çmime tavan për shitjen e karburanteve, bazuar në tregjet ndërkombëtare.

Një tjetër masë e paralajmëruar është ulja e akcizës nga 39.6 lekë në 31.68 lekë për litër, e cila pritet të reflektohet me një ulje prej rreth 8–10 lekësh në çmimin final për konsumatorët.

Për të shmangur abuzimet, janë përcaktuar edhe kufijtë e fitimit: 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për atë me pakicë. Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet mbi tregun e hidrokarbureve, ndërsa një task-forcë është angazhuar për monitorimin e situatës.

Rritja e çmimeve lidhet me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht me tensionet në Lindjen e Mesme dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit. Qeveria paralajmëron se subjektet që nuk do të zbatojnë çmimet e përcaktuara do të përballen me ndëshkime.