Çmimi i gazit në tregun vendas ka shënuar rritje këtë fundjavë, pasi Bordi i Transparencës së Hidrokarbureve vendosi të mos e përfshijë atë në formulën e fiksimit të çmimeve në mbledhjen e fundit.
Aktualisht, në pikat e shitjes me pakicë, gazi po tregtohet nga 72 deri në 75 lekë për litër, nga 65 lekë që ishte niveli i mëparshëm i vendosur nga Bordi. Para përshkallëzimit të krizës në Lindjen e Mesme, çmimi i tij në tregun vendas luhatej mesatarisht në 55–60 lekë për litër.
Ecuria e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Në bursat europiane, gazi natyror ka pësuar rritje të ndjeshme, i ndikuar nga tensionet gjeopolitike dhe problemet me furnizimin. Sipas raportimeve ndërkombëtare, çmimi benchmark TTF ka arritur rreth 74 euro/MWh, niveli më i lartë që nga fillimi i vitit 2023, ndërsa në disa raste janë regjistruar rritje të menjëhershme deri në 25–35% brenda një dite.
Në total, që nga nisja e krizës, çmimet janë rritur me mbi 50–60%, duke reflektuar pasigurinë në tregjet globale dhe kërkesën në rritje për sigurimin e furnizimeve energjetike në Europë.
Ndërkohë, ndryshe nga karburantet e tjera që vijojnë të kenë çmime të përcaktuara nga Bordi, për gazin nuk është marrë një vendim i tillë. Operatorët argumentojnë se shtrenjtimi në bursë e bën të pamundur mbajtjen e çmimeve të mëparshme, ndërsa Bordi ka sqaruar se gazi nuk përfshihet aktualisht në vendimmarrjen e tij, duke lënë tregun të lirë për përcaktimin e çmimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri qarkullojnë rreth 84 mijë mjete hibride që përdorin edhe gaz, ose rreth 9% e totalit të automjeteve. Përveç transportit, gazi përdoret gjerësisht edhe nga familjet për gatim dhe ngrohje, çka e bën këtë rritje të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin e konsumatorëve.










