Rritet çmimi i naftës në Shqipëri, arrin deri në 189 lekë për litër

Tensionet në Lindjen e Mesme po ndikojnë edhe në tregun shqiptar të karburanteve. Gjatë kësaj të premteje është vënë re një tjetër rritje e çmimit të naftës në pikat e furnizimit në vend.

Në shumicën e karburanteve, nafta po tregtohet rreth 182 lekë për litër, ndërsa në disa pika të tjera çmimi varion nga 185 deri në 189 lekë për litër.

Operatorët e tregut e lidhin këtë rritje me luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, ku çmimet e naftës së papërpunuar janë rritur për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe pasigurive në furnizim. Shoqata e Hidrokarbureve ka paralajmëruar më herët se çmimi mund të shënojë rritje deri në 40 lekë për litër.

Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve dhe po vëzhgon kompanitë që operojnë në tregtimin me shumicë dhe pakicë të benzinës dhe naftës. Fokusi kryesor i këtij procesi është ecuria e çmimeve në pikat e shitjes për konsumatorët.

Shqipëria mbetet një vend i varur nga importi i hidrokarbureve, ndaj çdo ndryshim në tregjet ndërkombëtare reflektohet shpejt në çmimin që paguajnë qytetarët. Rritja e çmimit të naftës pritet të ndikojë edhe në koston e transportit dhe të prodhimit, duke krijuar presion për shtrenjtimin e produkteve të tjera të përditshme.