Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, përdorimi i telefonit celular dhe orët e gjata pa gjumë vijojnë të jenë faktorët kryesorë që çojnë në aksidente rrugore, sidomos gjatë periudhave festive.
Edhe fillimi i vitit 2026 paraqitet shqetësues. Vetëm në 5 ditët e para të këtij viti janë regjistruar 5 aksidente rrugore me pasojë humbjen e jetës së 8 personave.
Ngjarja më e rëndë u shënua në orët e para të Vitit të Ri, në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, ku tre të rinj, të moshës 24–27 vjeç, humbën jetën pas përplasjes së dy automjeteve.
Një ditë më pas, në Lezhë, një çift bashkëshortësh gjeti vdekjen në aksin Lezhë–Mabë, pas një përplasjeje mes dy automjeteve. Si pasojë e këtij aksidenti, një familje me katër anëtarë, mes tyre dy fëmijë, mbeti e plagosur dhe u dërgua për ndihmë mjekësore.
Aksidente të tjera me pasoja fatale janë regjistruar edhe në Durrës dhe Elbasan, ku kanë humbur jetën tre këmbësorë.
Autoritetet apelojnë për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, shmangien e alkoolit dhe përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për të parandaluar humbje të tjera jete.










