Rriten çmimet e biletave te fluturimit për shkak të krizës së karburanteve

Çmimet e biletave ajrore po njohin një rritje të ndjeshme në prag të sezonit veror, si pasojë e krizës së karburanteve të lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, situata në Iran dhe ndikimi në sektorin energjetik—përfshirë kufizimet në furnizim dhe vështirësitë në kalimin përmes ngushticës së Hormuzit—kanë rritur ndjeshëm koston e karburantit. Ky zhvillim po reflektohet drejtpërdrejt edhe në industrinë e aviacionit.

Në fluturimet brenda Europës, çmimet e biletave janë rritur mesatarisht me 10% deri në 15% gjatë javëve të fundit, ndërsa për destinacionet ndërkontinentale shtrenjtimi është edhe më i lartë. Kjo lidhet jo vetëm me konsumin më të madh të karburantit, por edhe me devijimin e itinerareve për arsye sigurie, duke shmangur zonat e konfliktit.

Paralelisht, kompanitë ajrore po përballen me rritje të kërkesave për rimbursim, për shkak të anulimeve dhe vonesave të gjata të fluturimeve, një tregues i qartë i paqëndrueshmërisë aktuale në sektor.

Ekspertët këshillojnë rezervimin e hershëm të biletave për sezonin veror, pasi në afat të shkurtër pritet që çmimet të vijojnë trendin rritës. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse dhe kur mund të ketë një stabilizim të tregut që do të sillte ulje tarifash.

Në këto kushte, udhëtarët përballen me një zgjedhje mes prenotimit të hershëm për të shmangur çmime më të larta dhe pritjes për një normalizim të mundshëm të situatës.