Rrezikohet furnizimi me karburant, importuesit paralajmërojnë kufizime pas uljes së çmimeve

Furnizimi me naftë dhe benzinë në vend rrezikon të përballet me kufizime, pas vendimit të fundit të Bordit të Transparencës për uljen e çmimeve të tregtimit me pakicë dhe shumicë.

Bordi fiksoi çmimin e naftës në 203 lekë/litër dhe të benzinës në 175 lekë/litër, nga 214 dhe 199 lekë që ishin më parë. Ndërkohë, çmimet me shumicë u vendosën në 191 lekë/litër për naftën dhe 163 lekë/litër për benzinën.

Pas këtij vendimi, importuesit e mëdhenj të karburanteve kanë reaguar zyrtarisht ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke paralajmëruar se do të ndërmarrin masa të përkohshme për të shmangur shitjen nën kosto.

Konkretisht, ata paralajmërojnë:

  • Pezullim dhe kufizim të shitjes me shumicë të naftës dhe benzinës;
  • Ngadalësim dhe kufizim të procesit të zhdoganimit të karburanteve në Porto Romano.

Sipas importuesve, çmimet e vendosura nga Bordi nuk reflektojnë realitetin e tregut dhe kostot aktuale, pasi bazohen në një formulë të vitit 2022. Ata argumentojnë se, me çmimet aktuale në bursë dhe kostot operative, një litër naftë duhet të shitet rreth 209.2 lekë dhe benzina rreth 172.7 lekë në shumicë, duke evidentuar diferenca të konsiderueshme me çmimet e vendosura.

Në shkresat zyrtare, kompanitë kërkojnë mbledhjen urgjente të Bordit për rishikimin e metodologjisë dhe përcaktimin e çmimeve të reja që reflektojnë kostot reale.

Ndërkohë, në tregun vendas është reflektuar menjëherë ulja e çmimeve, me naftën që ka zbritur me 11 lekë/litër dhe benzinën me 24 lekë/litër.

Importuesit paralajmërojnë se nëse situata vijon, mund të ketë ndërprerje të furnizimit, duke theksuar se asnjë subjekt nuk mund të detyrohet të shesë nën kosto. Sipas tyre, barra e lartë fiskale mbetet një ndër arsyet kryesore që Shqipëria ka çmime më të larta karburanti krahasuar me vendet e rajonit.

Situata mbetet në zhvillim, ndërsa pritet reagimi i institucioneve përkatëse për të shmangur një krizë të mundshme në tregun e karburanteve.