Platforma qeveritare e-Albania po njeh një rritje të vazhdueshme, si në numrin e përdoruesve, ashtu edhe në shërbimet që ofron për qytetarët. Gjatë muajit korrik janë regjistruar rreth 1.3 milionë aplikime për shërbime elektronike, duke shënuar një rritje krahasuar me muajin paraardhës.
Edhe përdorimi i shërbimeve elektronike është rritur ndjeshëm, duke arritur në afro 2.1 milionë. Ndërkohë, faqja zyrtare e platformës ka regjistruar mbi 15.6 milionë vizita dhe janë kryer thuajse 37 milionë transaksione, një shifër që dëshmon për përmasat gjithnjë në zgjerim të përdorimit të kësaj platforme nga qytetarët.
Numri i përdoruesve të rinj gjatë këtij muaji ka arritur në rreth 23 mijë, duke përfaqësuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me muajt e mëparshëm të vitit. Aktualisht, platforma përdoret rregullisht nga rreth 344 mijë persona përmes celularit, çka tregon se shërbimet online po fitojnë gjithmonë e më shumë popullaritet.
Megjithatë, gjatë muajit korrik është vërejtur një rënie në numrin e dokumenteve të gjeneruara me vulë elektronike, të cilat kanë arritur në rreth 896 mijë. Dokumentet më të kërkuara këtë muaj kanë qenë certifikatat personale dhe familjare, si edhe vërtetimi për pagesën e kontributeve për individin.
Nga ana tjetër, qytetarët kanë përdorur më shpesh shërbimet me pagesë, ku më të kërkuarat rezultojnë të kenë qenë pagesa e taksës vjetore për mjetet e përdorura dhe për mjetet e luksit, aplikimi për certifikatën e projektit të fiskalizimit, si edhe aplikimet për pasaportë dhe kartë identiteti. Gjatë muajit, një numër i madh aplikimesh është bërë për kontributet e sigurimeve shoqërore, për vërtetimet e pagës, si dhe për depozitimin e pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit.
SCAN