Aksi nacional Tepelenë–Gjirokastër është bllokuar në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, pas rrëshqitjes së një masivi dherash dhe shkëmbinjsh në rrugë.
Si pasojë, janë krijuar radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet e qarkullimit. Në vendngjarje kanë mbërritur policia rrugore dhe punonjësit e firmës kontraktore, të cilët po punojnë për largimin e baltës dhe gurëve nga karrexhata, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.
Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes dhe, nëse është e mundur, të përdorin aks rrugor alternativ deri në normalizimin e situatës.










