Festivali Letrar “Stephanophana” sjell emrat e njohur si Besnik Mustafaj, Namik Dokle, Primo Shllaku, Agim Baci, Alda Bardhyli, Rita Petro, Ben Andoni e Monika Stafa.
Kultura dhe arti i fjalës së shkruar do të marrin jetë në edicionin e parë të Festivalit Letrar “Stephanophana”, i cili pritet të sjellë një atmosferë të veçantë letrare e artistike në qytetin e Roskovecit. Kryebashkiakja e qytetit Znj. Majlinda Bufi është entuziaste që do të mirëpres në Roskovec shkrintarë e personalitete të gazetarisë por edhe poetë dhe shkrimtarë që për dy netë do i japin shkëlqim qytetit.
Me ide të shkrintarit Liridon Mulaj e me mbështetjen e kryetares Majlinda Bufi, ky festival do të shërbejë si një udhëtim përmes botës së librave, poezisë dhe ideve, duke bashkuar autorë, studiues, lexues dhe dashamirës të letërsisë.
Me aktivitete të larmishme, diskutime letrare, prezantime librash dhe lexime poetike, “Stephanophana” synon të kthehet në një hapësirë ku fjala e shkruar lidhet me mendimin kritik dhe krijimtarinë. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përjetojnë takime frymëzuese me autorë të njohur dhe të rinj, duke e bërë festivalin një arenë të vërtetë bashkëbisedimi kulturor.
“Stephanophana” nuk është vetëm një festë e librit, por edhe një homazh për fuqinë e letërsisë si urë që lidh breza, kultura dhe vizione. Starti i këtij festivali pritet me entuziazëm, duke e vendosur atë në kalendarin e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të vendit.
Festivali letrar “Stephanophana” do të realizohet javën e parë të muajit Tetor, i cili është dhe muaji i letërsisë.