Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot seancën e tij të parë plenare, duke shënuar nisjen zyrtare të legjislaturës së re. Seanca u hap me paraqitjen e raportit nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili kishte për detyrë të kontrollonte vlefshmërinë ligjore të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur.
Pas miratimit të këtij raporti, deputetët e rinj bënë betimin solemn, duke marrë zyrtarisht funksionin e tyre si përfaqësues në Parlament. Pika më e rëndësishme e ditës ishte procesi për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit. Partia Socialiste ka propozuar Niko Peleshin si kandidat për të marrë drejtimin e institucionit ligjvënës.
Seanca e sotme, që hap rrugën për ngritjen e institucioneve të reja dhe procesin e formimit të qeverisë, nuk kaloi pa tensione. Gjatë paradites, sallën e Parlamentit e përshkuan debate të forta ndërmjet deputetëve, çka tregoi se klima politike mbetet e nxehtë edhe në nisje të kësaj legjislature.