Në VLORE është rikthyer parkimi me pagesë, duke përfshirë 20 rrugë dhe sheshe të qytetit. Sipas hartës së re të miratuar, në shumicën e akseve kryesore do të aplikohet një tarifë bazë, ndërsa në sheshe do të ketë tarifë të diferencuar.
Masa synon të rregullojë qarkullimin dhe menaxhimin e hapësirave të parkimit, veçanërisht në zonat më të frekuentuara të qytetit. Megjithatë, rikthimi i parkimit me pagesë ka hapur debat mes qytetarëve.
Shumë drejtues mjetesh shprehen kundër këtij vendimi, duke argumentuar se gjendja e infrastrukturës në disa prej rrugëve të përfshira nuk është ende në standardet e duhura. Sipas tyre, pagesa për parkim duhet të shoqërohet me përmirësime konkrete në asfaltim, sinjalistikë dhe organizim të hapësirave.
Nga ana tjetër, autoritetet lokale shprehen se skema e re do të sjellë më shumë disiplinë në parkim dhe do të ndihmojë në uljen e trafikut në zonat urbane. Debati pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.










