Rikthehet dimri në veri, dëborë në Bogë–Qafë Thore dhe Razëm

Veriu i vendit është përfshirë nga reshjet e dëborës në mëngjesin e 27 marsit, duke rikthyer përkohësisht atmosferën dimërore në disa zona malore.

Sipas informacioneve, reshje me intensitet mesatar janë regjistruar në aksin Bogë–Qafë Thore, ku borëpastrueset janë në terren dhe po punojnë për mbajtjen e rrugëve të hapura. Deri më tani nuk raportohen probleme në qarkullim.

Reshje dëbore janë shënuar gjithashtu në Malësinë e Kelmendit dhe në zonën turistike të Razmës, pa krijuar vështirësi për lëvizjen e automjeteve.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të pajisin automjetet me goma dimërore gjatë qarkullimit në këto akse.