Rikthehen reshjet e borës në qarkun e Korccës. Trashësia e dëborës ka shkuar nga 15 deri në 80 cm në zonat e thella malore.
Në kushte të tilla raportohen rrugë të bllokuara në pjesën më të madhe të fshatrave të Njësive Administrative të zonave malore.
Situata më e rëndë paraqitet përsa i përket furnizimit me energji elektrike.
Nga ana tjetër akset nacionale kryesore janë të gjitha të kalueshme ndërsa në akset Dardhë, Voskopojë, Goricë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve dhe gomave dimërore.
Kryetari i bashkisë Devoll Eduard Duro bën me dije se nga natën e mbremshme pa energji elektrike ka mbetur qyteti i Bilishtit si dhe gjithë fshatrat e Njësive Administrative të kësaj bashkie.
Pa energji elektrike janë 35 fshatra të Njësive Administrative Gorë e Moglicë ashtu siç kanë probleme të furnizimit me energji elektrike fshatra të Njësive Administrative Pojan, Pirg e Vreshtas në bashkinë e Maliqit.
Me probleme me energjinë elektrike janë edhe fshatrat në Njësitë administrative Vithkuq e Lekas në Bashkinë e Korçës ashtu siç ka pasur probleme në disa blloqe banimi edhe në qytetin më të madh të juglindjes së vendit.