Greqia është “shumë afër” njoftimit të ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç, tha një burim i lartë qeveritar për Reuters të martën.
Ky veprim vjen ndërsa vendet evropiane po shqyrtojnë masa më të ashpra për të kufizuar aksesin në platformat dixhitale nga të miturit.
Po atë ditë, Spanja njoftoi planet për të ndaluar përdorimin e mediave sociale nga personat nën 16 vjeç, ndërsa gjithashtu shtyu për legjislacion që do t’i bënte drejtuesit e mediave sociale personalisht përgjegjës për gjuhën e urrejtjes në platformat e tyre.
Në vitin 2025, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kishte deklaruar se ndalimi i mediave sociale për të miturit nën 16 vjeç ishte vënë në tryezën e opsioneve të qeverisë.
Konkretisht, në një aktivitet të titulluar “Mbrojtja e Fëmijëve në Epokën Dixhitale”, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së, Mitsotakis kishte theksuar se Greqia është e gatshme të shqyrtojë edhe “ndalimin e përdorimit të mediave sociale duke vendosur një prag të moshës madhore dixhitale”, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. “Ne nuk mund t’i përdorim vështirësitë në zbatimin e këtyre politikave si justifikim për të mos bërë asgjë për problemin”, kishte vënë në dukje ai.
Mitsotakis theksoi gjithashtu se sfida nuk kufizohet vetëm në mediat sociale, por shtrihet edhe në marrëdhënien e fëmijëve me mjetet e inteligjencës artificiale .







