Ballina Shqiperia ime Rekord dëmesh nga zjarret – mbi 45 mijë hektarë të djegur në...

Rekord dëmesh nga zjarret – mbi 45 mijë hektarë të djegur në vend

Me rreth 90 vatra zjarri dhe mbi 45 mijë hektarë tokë të djegur që nga fillimi i vitit, Shqipëria po përballet me një nga sezonet më të rënda të dekadës. Situata ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa shifrat tregojnë se përhapja e flakëve këtë vit është dyfishuar krahasuar me vitet e mëparshme.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në vitin 2024 regjistroheshin mesatarisht 6 zjarre në javë gjatë verës, ndërsa këtë vit shifra ka arritur në 13 zjarre në javë. Vetëm deri në fund të korrikut, flakët kanë prekur 12 banesa, 3 stane, 1 objekt kulti dhe një nënstacion energjie.

Megjithë dëmet e mëdha, pak qytetarë kanë të siguruar pronën e tyre kundër zjarrit. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në gjysmën e parë të vitit 2025, primet e shkruara bruto për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës ranë me 2.4%, duke arritur në rreth 1.7 miliardë lekë. Numri i kontratave të sigurimit për këtë qëllim është mbi 31 mijë, me një rritje 9.3% krahasuar me një vit më parë, por ende i pamjaftueshëm për të mbuluar dëmet në shkallë kombëtare.

Nga viti 2021 deri në 2024, primet e arkëtuara për sigurimin nga zjarri janë rritur nga 2 miliardë lekë në 2.6 miliardë, ndërsa numri i kontratave është shtuar me 10.8%. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e dëmeve do të mbulohet nga shteti. Qeveria ka nisur hartimin e një pakete kompensimi për fermerët që kanë humbur tokat bujqësore, ndërsa vlerësimi i dëmeve do të bëhet nga bashkitë përkatëse.