Reforma territoriale, Shoqata e Bashkive kërkon ndërhyrjen e Këshillit të Evropës: Procesi ka humbur legjitimitetin

Shoqata e Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë do të zhvillojë sot një dëgjesë me përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, ku në fokus do të jetë rishikimi i Reformës Administrativo-Territoriale të vitit 2014.

Takimi vjen pas kërkesës urgjente të Shoqatës, e cila më 17 gusht iu drejtua Presidentes së Kongresit, Claudia Luciani, duke kërkuar shqyrtimin e procesit dhe vlerësimin e tij në raport me standardet evropiane të autonomisë vendore.

Shoqata kundërshton mënyrën se si është zhvilluar deri tani procesi, duke pretenduar se disa nga fazat e parashikuara në kalendarin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar nuk janë realizuar. Mes tyre përmenden raundi i dytë i konsultimeve, sondazhi publik, prezantimi i varianteve, si dhe dëgjesa e parashikuar për Bashkinë e Tiranës.

Sipas Shoqatës, këto mangësi kanë krijuar shqetësime për mundësinë e ndryshimit të strukturave territoriale pa një proces të plotë konsultimi dhe pa përfshirjen e mjaftueshme të autoriteteve vendore dhe komuniteteve.

Në takimin me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, pala shqiptare pritet të paraqesë dokumentacionin e procesit, qëndrimet e bashkive dhe këshillave bashkiakë, rezultatet e konsultimeve, reagimet e komuniteteve dhe alternativat e propozuara.

Shoqata thekson se nuk kërkon që Kongresi i Këshillit të Evropës të përcaktojë hartën territoriale të Shqipërisë apo të mbështesë një alternativë politike, por të vlerësojë nëse procesi është në përputhje me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore dhe standardet e demokracisë lokale.

Sipas saj, përmes mënyrës së ndjekur deri më tani, reforma ka humbur legjitimitetin dhe ngre pikëpyetje edhe mbi kushtetutshmërinë e saj. Shoqata argumenton se çdo ndryshim territorial duhet të bazohet në konsultim real, transparencë, evidencë, pjesëmarrje të komuniteteve dhe konsensus.

Në takimin e sotëm Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës do të përfaqësohet nga drejtueset e larta Claudia Luciani dhe Carolin Dubois-Leinihan.

Nga pala shqiptare do të marrin pjesë Presidenti i Shoqatës dhe kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, zv.presidenti dhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hilë Curri, si dhe përfaqësues dhe ekspertë të Shoqatës dhe Komisionit të Posaçëm Parlamentar.

Dëgjesa pritet të fokusohet te respektimi i autonomisë vendore, përfshirja e komuniteteve në proces dhe mënyra se si po zhvillohet rishikimi i hartës administrativo-territoriale të vendit.