Ballina Shqiperia ime Reforma e re territoriale, Shqipëria drejt ndarjes në rajone më të mëdha

Reforma e re territoriale, Shqipëria drejt ndarjes në rajone më të mëdha

Shqipëria pritet të ndryshojë sërish hartën e saj administrativo-territoriale. Pas dhjetë vitesh nga reforma e vitit 2014, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një rishikim të ndarjes së vendit, duke u mbështetur në të dhënat e Censit 2023, ku popullsia rezulton e tkurrur me afro 400 mijë banorë.

Nga 61 bashki ekzistuese, 14 prej tyre numërojnë më pak se 10 mijë banorë, ndërsa pesë bashki si Libohova, Këlcyra, Pusteci, Konispoli dhe Fushë-Arrëzi administrojnë më pak se 5 mijë banorë secila. Këto njësi konsiderohen të dobëta financiarisht, pasi të ardhurat nuk u mjaftojnë për të garantuar shërbime bazë për qytetarët.

Qeveria synon që me reformën e re të krijojë bashki më të mëdha dhe ekonomikisht të qëndrueshme, duke forcuar aftësinë e tyre për të ofruar shërbime cilësore dhe për të përballuar sfidat e integrimit europian. Për këtë do të ngrihet një komision parlamentar i posaçëm, ndërsa procesi do të shoqërohet me konsultime të gjera publike.