Pasditen e sotme, qyteti i Fierit është mbuluar nga re të dendura tymi, si pasojë e dy vatrave të mëdha zjarri që kanë shpërthyer në zona të ndryshme të territorit. Njëri zjarr është regjistruar pranë fshatit Daullas, ndërsa tjetri në periferinë e qytetit, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha me toka bujqësore dhe kallamishte.
Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë, e cila po pengon edhe punën e forcave zjarrfikëse të angazhuara në terren. Ekipet po punojnë në kushte të vështira për të vënë nën kontroll situatën, ndërkohë që tymi është përhapur deri në zonat urbane të Fierit, duke shkaktuar shqetësim te banorët.
Shkaqet e zjarreve mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet lokale i kanë bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, duke shmangur çdo veprim që mund të nxisë përhapjen e zjarreve, sidomos në kushtet aktuale të temperaturave të larta dhe thatësirës së tejzgjatur.
Për momentin, situata është nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa përpjekjet për neutralizimin e flakëve po vijojnë në mënyrë intensive për të shmangur rrezikun e përhapjes në zona të tjera të banuara apo me vlera bujqësore.