Ballina Aktualitet Raporti vjetor i SPAK, Dumani: 10 zyrtarë të dënuar, 33 të proceduar....

Raporti vjetor i SPAK, Dumani: 10 zyrtarë të dënuar, 33 të proceduar. 854 procedime penale

Gjatë raportimit të raportit vjetor të SPAK në Komisionin e Ligjeve, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, bëri me dije se gjatë vitit 2024 janë sekuestruar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro, ndërsa janë hetuar 854 procedime penale.

“Krahasuar me vitin 2023, numri i çështjeve në hetim për trafik droge është rritur me 3.3 përqind. Kjo ka sjellë edhe një shtim të bashkëpunimeve ndërkombëtare, kryesisht përmes Eurojust”, deklaroi Dumani.

Sipas tij, gjatë vitit janë ekzekutuar 46 vendime gjykate, ndërsa janë proceduar 33 zyrtarë të lartë, nga të cilët 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Sa i përket çështjeve të terrorizmit, Dumani tha se në vitin 2024 janë regjistruar 9 raste të reja. Ndërkohë, vlera e pasurive të konfiskuara arrin në 66.5 milionë euro, nga të cilat 43.8 përqind janë pasuri të sekuestruara, dhe 56.2 përqind janë konfiskuara përfundimisht.

“Rreth 45.8 përqind e këtyre pasurive u përkasin zyrtarëve publikë”, theksoi kreu i SPAK, duke nënvizuar se hetimet për korrupsion dhe pastrim parash kanë njohur rritje me 13 përqind krahasuar me vitin e kaluar.