Ballina Aktualitet Rama: Transparenca në Shqipëri ka avancuar, nuk është kërcënim ndarja e informacionit

Rama: Transparenca në Shqipëri ka avancuar, nuk është kërcënim ndarja e informacionit

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të martë në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit.

“I kemi ndarë rolet, një pjesë e këtyre këtu e kanë ndarë për ta parë një godë gjysëm plotë, ndërsa disa të tjerë edhe me mua e shikojnë godën plotë.

Doja të sillja në mendje opinionin e një autoriteti, i cili është SIGMA, që gjykon performancën e institucioneve shqiptare nga një distancë e mjaftueshme për të pasur një objektivitet të lartë.

Shqipëria ka një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshme për transparencën, dhe rezultati sipas Sigmës është 8,6 nga 10 në kuadrin strategjik institucional dhe 7 nga 9 në funksionin faktik të autoritetit mbikëqyrës të së drejtës për informim.

Duke ju referuar indeksit të transparencës të publikuar së fundmi, Shqipëria ka bërë një kapërcim rreth 5% brenda këtij viti, duke kaluar nga 73% në 78% në indeksin e transparencës, ndërkohë që mesatarja e përgjithshme globale është 62% dhe ajo rajonale është 69%.

Shqipëria është 10 pikë mbi mesataren rajonale, kjo është një godë gjysëm plotë.

Pavarësisht progresit të bërë, po të shikojmë më lartë jemi poshtë, po të shikojmë sa poshtë ishim, jemi shumë lart. Kjo e dyta është një burim motivimi për ne që duhet të ngremë vendin më lart.

Në këtë aspekt, dua të them disa gjëra konkrete. Jam dakord që qasja e hapur nuk është kërcënim. Realisht, ngurrimi për të ndarë me këdo që i kërkon informacionet që janë fakte administrative është absurd. Dëmton më shumë sesa mbron. Krijon edhe një sens dyshimi dhe një atmosferë konspiracioni”, u shpreh ai.