Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podkastin e tij “Flasim” zhvendosjen e Zyrës së Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës, duke sqaruar se vendimi nuk ka të bëjë me mbylljen e shërbimit për qytetarët, por me transformimin e tij në një model plotësisht digjital.
Sipas Ramës, reagimet dhe debatet publike janë nxitur nga keqinterpretimi i situatës, duke u ngatërruar qëllimisht ose nga mungesa e informacionit adresa fizike e zyrës me vetë shërbimin për qytetarët.
Ai theksoi se Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga modeli tradicional me sportele, radhë dhe zvarritje, në një sistem online përmes platformës e-Albania, ku shumica e procedurave kryhen pa paraqitje fizike.
“Kjo lëvizje nuk lidhet me vendndodhjen fizike të zyrës, por me transformimin e shërbimit në një model të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm për çdo qytetar, përmes celularit apo kompjuterit më të afërt,” u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se zhvendosja e Kadastrës së Vlorës nuk është një rast i izoluar dhe se në të ardhmen edhe drejtori të tjera vendore do të përqendrohen, në funksion të një administrate pa sportele dhe pa ndërtesa fizike të shpërndara në territor.
Sipas tij, objektivi është që i gjithë cikli i shërbimit të mbyllet online, pa aplikime që përfundojnë me dërgim dokumentesh me postë apo paraqitje fizike në sportele.
“E nesërmja e afërt e Kadastrës është një shërbim pa sportele dhe pa godina fizike, por me akses për çdo qytetar, si një e drejtë themelore që merret përmes celularit ose kompjuterit,” tha Rama.
Ai theksoi se qeveria po punon për një sistem më efikas, modern dhe të aksesueshëm, ku shërbimet publike të jenë të disponueshme nga çdo pikë e vendit, pa pengesa burokratike.









