Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar përpjekjet e jashtëzakonshme të strukturave shtetërore për përballimin e situatës së zjarreve në vend. Ai e cilësoi këtë një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjithë ata që janë në terren, duke luftuar me flakët që kanë përfshirë disa zona të Shqipërisë.
Rama bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra aktive, prej të cilave 13 janë izoluar dhe shuar. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse, qindra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe vullnetarë, si dhe janë vënë në dispozicion 5 helikopterë dhe një avion zjarrfikës Canadair, i ardhur si ndihmë nga Italia.
Ndërkohë, zonat që vazhdojnë të paraqesin rrezik të lartë janë Delvina, Poliçani, Gramshi, Dropulli, Finiqi, Berati, Tepelena dhe Bulqiza. Forcat nga toka dhe ajri vijojnë ndërhyrjet për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe pronën, ndërsa gatishmëria mbetet maksimale. Kryeministri vlerësoi gjithashtu edhe ndihmën e partnerëve europianë dhe të Emirateve, që po kontribuojnë në përballimin e kësaj situate të vështirë.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin
Gjatë 24 orëve të fundit:
34 vatra aktive
13 të izoluara dhe të shuara
Në operacione janë angazhuar:
Dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura
Mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare
5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë
Qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve
Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës.
Gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe emiratas po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë