Kryeministri Edi Rama ka folur për valën e fundit të ndryshimeve në kabinet gjatë podcastit të tij Flasim, ku u ndal veçanërisht te largimi i ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Rama sqaroi se gjatë mbledhjes së zgjeruar mujore të grupit parlamentar të PS ka trajtuar raportin mes politikës dhe drejtësisë, duke e cilësuar këtë fazë si pozitive, por ende me nevojë për përmirësime të mëtejshme.
Ai theksoi se deputetëve u ka prezantuar edhe planin e ndryshimeve në qeveri, të cilat sipas tij janë pjesë e një qasjeje të re të shpallur që në fillim të mandatit aktual. Kryeministri i krahasoi lëvizjet në kabinet me ndryshimet në një ekip sportiv, duke nënvizuar se riformatimi dhe përshtatja janë të domosdoshme për funksionimin e skuadrës.
Sa i përket Ballukut, e cila po hetohet nga SPAK, Rama tha se largimi i saj lidhet me rrethana specifike dhe jo me performancën në detyrë. Sipas tij, në kushte të tjera, ajo nuk do të ishte larguar, pasi rezultatet e saj në punë i cilësoi si “të jashtëzakonshme”.
Kreu i qeverisë bëri me dije se për këtë çështje ka folur shkurtimisht në mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa paralajmëroi se do të mbajë një qëndrim më të detajuar pasi të njihet me raportin e Këshillit të Mandateve.









