Ballina Aktualitet Rama për ‘Die Presse’: Do bëjmë gjithçka për të mos prekur pavarësinë...

Rama për ‘Die Presse’: Do bëjmë gjithçka për të mos prekur pavarësinë e SPAK

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për podcastin “East Side Stories” të medias austriake Die Presse, ku ka komentuar mbi një sërë temash, përfshirë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, luftën kundër korrupsionit, përplasjet politike në SHBA midis Trump dhe Soros, si dhe investimet e mundshme në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner.

Duke folur për punën e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe gabimet që mund të ndodhin gjatë hetimeve, Rama thekson se pavarësia e saj nuk duhet të komprometohet.

“Kam thënë se duhet të ndërtojmë mekanizma të drejtësisë që mund të provojnë pavarësinë e tyre, duke hetuar, duke investiguar dhe duke dënuar, pa marrë parasysh nga cila anë vjen çështja. Nuk është aq këndshme sa të shkosh në operë. Është e dhimbshme. Është e hidhur. Por është mënyra e vetme. A është perfekte? Jo. A bëjnë gabime? Sigurisht. Por në fund të ditës, duhet të bëjmë gjithçka që të mos prekim pavarësinë që u kemi dhënë atyre,” tha Rama.

Kryeministri u shpreh gjithashtu për angazhimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar mbështetjen e madhe të Komisionit Europian:

“A do të jemi si Austria brenda dy vitesh? Jo, aspak. Anëtarësimi lidhet me parime dhe kritere shumë të qarta që duhet përmbushur në tërësi. Por në këtë fazë nuk shoh asnjë rrezik për probleme serioze. Nuk e bëjmë këtë ‘detyrë shtëpie’ për t’i kënaqur ata. E bëjmë për të ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë më evropiane, më demokratike,” tha Rama.

Intervista pasqyron përpjekjet e qeverisë për të konsoliduar drejtësinë dhe për të avancuar reformat e BE-së si pjesë e strategjisë për anëtarësim brenda vitit 2030.