Rama në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm: Shqipëria drejt sovranitetit energjetik, pa varësi nga importet

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në panelin e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku theksoi se Shqipëria është një vend me fat për shkak të burimeve të saj energjetike që nuk varen nga hidrokarburet.

Rama deklaroi se vitet e fundit Shqipëria ka investuar ndjeshëm në prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, veçanërisht nga era dhe dielli, duke arritur të ketë 100 për qind energji të gjelbër. Sipas tij, kjo strategji synon të reduktojë varësinë nga importet, sidomos në periudhat kur mungojnë reshjet.

“Kemi burime hidrike dhe jemi 100 për qind me energji të ripërtëritshme. Burimet ujore do të thotë që ne varemi nga reshjet dhe kjo na detyron t’i drejtohemi importit. Në dekadën e fundit kemi investuar në energjinë diellore dhe atë të erës, në mënyrë që të mos kemi më nevojë për import dhe të jemi sovranë”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se plani energjetik po ecën pozitivisht dhe se objektivi është që deri në fund të vitit 2028 Shqipëria të arrijë sovranitet të plotë energjetik, duke mos blerë më energji nga jashtë. Kryeministri vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin strategjik ndërkombëtar, duke e cilësuar atë si rezultat të një vizioni që shkon përtej kufijve kombëtarë dhe synon përfitime më të gjera globale.