Shqipëria hap sot edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Me ftesë të Presidencës daneze të BE-së, në Bruksel mbahet sot Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila do të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre.
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm foto me Komisioneren për Zgjerimin e BE, Marta Kos në Bruksel, teksa shpreh padurimin për për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj, një ritëm rekord.
Shqipëria hedh kështu një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, pasi këta 4 kapituj u shtohen 24 kapitujve të negociatave për anëtarësim, që janë hapur në vetëm 11 muaj.
Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE i kushtohet grupkapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.
Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Konferenca Ndërqeveritare pritet të nisë në orën 08:00, teksa konferenca për shtyp është planifikuar rreth orës 09:15 pasuar nga mbledhja e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në orën 10:00.
Në fund do të ketë disa fjalime të shkurtra përmbyllëse nga delegacioni i BE-së, ministrja e Danimarkës, Marie Bjerre dhe Komisionerja Marta Kos, si dhe nga kryeministri Rama.
Shqipëria ka çelur deri më tani 4 nga 6 grupkapituj, të ashtuquajturin “Themeloret”, “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Tregun e Brendshëm” si dhe “Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse”.