Rama mbron ish-drejtoreshën e AKSHI-t: U nxituan me arrestimin, ka punuar pa orar dhe s’ka as makinë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga mbledhja e grupit parlamentar të PS , duke dalë në mbrojtje të ish-drejtoreshës së (AKSHI),Mirlinda Karcanaj e cila ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Rama e cilësoi AKSHI-n si një histori suksesi për shtetin shqiptar dhe vlerësoi punën e stafit dhe drejtuesve të këtij institucioni, duke theksuar se kanë punuar pa orar dhe nën presion të vazhdueshëm. Ai u shpreh se, sipas tij, ka pasur një ngutje të panevojshme për arrestimin e ish-drejtoreshës.

Sipas kryeministrit, shteti nuk duhet të kthehet në një vend ku institucionet që konsiderohen krenari përdoren për të ushtruar presion psikologjik ndaj profesionistëve. Ai nënvizoi se hetimi duhet të bëhet, por duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.

Rama hodhi dyshime mbi akuzat publike, duke thënë se ish-drejtoreshës i janë vënë në kurriz vila dhe makina, ndërkohë që, sipas tij, ajo jeton me qira dhe nuk zotëron mjet personal. Ai ngriti pyetjen se çfarë fiton shteti nëse një zyrtare rezulton e pafajshme pas muajsh nën arrest.

Në fjalën e tij, kryeministri solli si shembull edhe rastin e drejtuesit të (KESH), i cili prej muajsh ndodhet në arrest shtëpie, duke ngritur shqetësimin për pasojat që kanë masa të tilla nëse në fund rezultojnë të pabazuara. Ai theksoi se raste të ngjashme, sipas tij, prekin edhe një pjesë të konsiderueshme të personave që ndodhen në paraburgim pa u gjykuar ende.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment debatesh të forta mbi mënyrën e hetimit dhe përdorimin e masave të sigurisë ndaj zyrtarëve publikë.