Rama mbledh të premten kryebashkiakët, nis turi 9-javor “Punët për Shqipërinë”

Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë këtë të premte një takim me kryetarët e bashkive në vend, në kuadër të turit kombëtar të Partisë Socialiste “Punët për Shqipërinë”. Takimi do të mbahet në Tiranë dhe është planifikuar të nisë në orën 11:00.

Sipas burimeve turi është pjesë e strategjisë së komunikimit të socialistëve dhe do të zgjasë 9 javë, ku çdo javë do të ketë në fokus një temë të veçantë.

Ndër çështjet kryesore që pritet të diskutohen janë integrimi në Bashkimin Europian, ekonomia, pagat dhe punësimi, turizmi, kultura dhe diaspora, si edhe arsimi, bujqësia dhe siguria ushqimore.

Ky tur vjen pas nisjes së takimeve të Ramës me Asambletë e Partisë Socialiste, të cilat kanë filluar që prej javës së kaluar, si pjesë e organizimit dhe koordinimit të kësaj nisme në nivel kombëtar.