Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile për të analizuar situatën e krijuar nga reshjet e shumta të ditëve të fundit në disa qarqe të vendit. Sipas Ramës, intensiteti i reshjeve ka ardhur në rënie, ndërsa strukturat janë në terren dhe po monitorojnë nga afër zonat problematike.
Deri në këto momente, nga autoritetet është bërë e ditur se janë evakuuar gjithsej 339 persona, që përbëjnë 51 familje, kryesisht nga zonat më të rrezikuara nga përmbytjet. Kryeministri theksoi se prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, ndërsa u kërkoi institucioneve vendore dhe qendrore të jenë në gatishmëri të plotë për çdo përkeqësim të mundshëm të situatës.










