Ballina Shqiperia ime Rama kërkon shkarkimin e nënkryetarëve të Bashkive: Të ikin, boll fjetën gjumë

Rama kërkon shkarkimin e nënkryetarëve të Bashkive: Të ikin, boll fjetën gjumë

Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të merren masa edhe për nënkryetarët e bashkive në vend, duke i cilësuar ata të pamotivuar dhe të konsumuar në detyrë. Ai ka theksuar nevojën për një rifreskim të thellë në nivelet drejtuese të bashkive, jo vetëm tek drejtorët, por edhe tek nënkryetarët, të cilët, sipas tij, nuk po përmbushin më me energji dhe efikasitet detyrimet që u janë ngarkuar.

“Është momenti që të bëni një rishikim serioz të strukturave drejtuese. Nënkryetarët, për mendimin tim, janë lodhur shumë. I shoh të konsumuar, të përhumbur, pa frymëzim e pa gjallëri. Dhe nuk është çështje personale, por një domosdoshmëri për të mbajtur gjallë ritmin dhe ambicien në punën e bashkive. Nuk po them se janë të paaftë, por duket qartë që kanë dhënë çfarë kishin për të dhënë. Bëni mirë t’i zëvendësoni dhe të sillni fytyra të reja, me energji të freskët, që mund të japin një impuls të ri në punët tuaja.”

Më tej, Rama iu drejtua drejtpërdrejt disa prej kryetarëve të bashkive, duke theksuar se situata nuk është më çështje komoditeti apo rutine.

“Ju e ndjeni vetë – mezi po i mbani në krah. Janë rraskapitur, dhe nuk është ndershmëri ndaj qytetarëve të vijojnë në detyrë vetëm për inerci. Pjerin, nënkryetarët e tu mezi po lëvizin. Në respekt të punës suaj dhe të qytetarëve që përfaqësoni, është më mirë të bëni një pastrim të thellë, një ndryshim rrënjësor. Edhe dy vjet kanë mbetur nga mandati, bëni si të doni, por ndryshimi është mëse i nevojshëm.”