Ballina Aktualitet Rama: Kam çuar në Kushtetuese pezullimin e Ballukut, për të ndalur shkeljen...

Rama: Kam çuar në Kushtetuese pezullimin e Ballukut, për të ndalur shkeljen e balancës së pushteteve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një videomesazh në Facebook, ku ka sqaruar arsyet e ankimit në Gjykatën Kushtetuese për vendimin e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku.

Rama theksoi se çështja është një “betejë institucionale dhe gjyqësore” për të mbrojtur kufirin ndarës të pushteteve, duke iu referuar edhe qëndrimeve të Komisionit të Venecias.

“Është një betejë institucionale gjyqësore për të mos lënë atë që nga Komisioni i Venecias konsiderohet shkelje e palejueshme mes kufirit ndarës të pushteteve. Nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun dhe për balancën mes pushteteve të pavarura në Shqipëri”, deklaroi ai.

Sipas Kryeministrit, lejimi i praktikave të tilla do të krijonte një precedent të rrezikshëm dhe do t’i hapte rrugë presioneve politike ndaj qeverisë.

“Duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, do të kishim diçka që është e panjohur. Mjafton të parafyturosh çfarë dëmesh do kishte nëse do lejohej kjo…”, u shpreh Rama.

Ankimi i kreut të qeverisë pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse pezullimi i ministrit përbën cenim të kompetencave të ekzekutivit apo është masë e ligjshme në kuadër të procesit penal.