Kryeministri Edi Rama ishte në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas, ku një rrëshqitje dheu në një gjatësi rreth 150 metra – sipas tij pa asnjë lidhje me punimet në kantierin prej 35 kilometrash të Korridorit VIII – u kthye për disa ditë në një temë të nxehtë politike dhe mediatike.
Rama u shpreh se, ndërkohë që për ditë e netë të tëra kjo situatë u përdor për debate politike e mediatike, puna në terren nuk është ndalur asnjë moment.
Sipas tij, pavarësisht akuzave dhe spekulimeve që u ngritën gjatë këtyre ditëve, realiteti në kantier ka qenë ndryshe, pasi ekipet kanë vijuar punën pa ndërprerje dhe situata është menaxhuar në kohë.
Kryeministri theksoi se, me përmirësimin e kushteve dhe rikthimin e qarkullimit normal, është bërë më e qartë edhe e vërteta mbi atë bllokim që shqetësoi me të drejtë qytetarët që lëvizin çdo ditë në këtë aks rrugor, duke shtuar se në fund puna dhe faktet në terren flasin më shumë se çdo zhurmë politike.
Ai theksoi se puna për zhbllokimin e aksit dhe stabilizimin e zonës ka vijuar pa ndërprerje, ndërsa u kërkoi strukturave përkatëse që të përshpejtojnë ndërhyrjet për të shmangur probleme të ngjashme në të ardhmen.










