Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se i ka përcjellë Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, përgjigjen zyrtare lidhur me ftesën për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, një nismë ndërkombëtare e fokusuar në promovimin aktiv të paqes globale.
Në mesazhin e tij, Rama e cilëson këtë ftesë si një nder të veçantë për Shqipërinë, duke theksuar se vendi ynë është ftuar të jetë anëtar themelues i këtij bordi. Kryeministri bën me dije se angazhimi do t’i përcillet së shpejti edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim, sipas procedurave kushtetuese.
Në letrën drejtuar Presidentit Trump, Rama vlerëson rolin e Bordit të Paqes si një instrument konkret dhe jo thjesht deklarativ, i krijuar për të reaguar me shpejtësi ndaj konflikteve dhe për të adresuar shkaqet e thella të paqëndrueshmërisë globale. Ai thekson se paqja nuk duhet të mbetet objekt diskutimesh formale, por të shndërrohet në veprim të drejtpërdrejtë dhe të përgjegjshëm.
Kryeministri rithekson gjithashtu aleancën e fortë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar rolin historik dhe vendimtar të SHBA-së në garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Rama shpreh gatishmërinë e plotë të Shqipërisë për të kontribuar në këtë nismë globale, në frymën e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Edi Rama
✍🏻 Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes.
Së shpejti ky angazhim do t’i përcillet edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
#KrenarpërShqipërinë🇦🇱🇺🇸🇪🇺
***
Bashkëlidhur përkthimi:
Republika e Shqipërisë
Kryeministri
Tiranë, 19 janar 2026
Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Washington, DC
I nderuar Zoti President,
Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.
Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.
Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.
Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.
Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.
Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.
Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.
Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.
Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Me respekt,
Edi Rama










