Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mazhoranca do të vijojë betejën ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rivendosi masën e pezullimit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama theksoi se çështja do të ndiqet deri në fund, përfshirë edhe përmes konsulencës ndërkombëtare, duke e cilësuar situatën si një problem që prek vetë funksionimin e institucioneve kushtetuese.
Reagimi i Ramës – 3 konkluzione
Kryeministri renditi tre përfundime kryesore nga mbledhja e grupit parlamentar, pas asaj që e quajti “mosvendim” të Gjykatës Kushtetuese:
1. Funksionet kushtetuese të padelegueshme – nga anëtari i qeverisë te Presidenti i Republikës dhe jo vetëm – nuk mund të pezullohen mbi bazën e një emri të përveçëm, pasi pezullimi paralizon funksionin dhe institucionin që ai përfaqëson.
2. Duke iu referuar edhe deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku anëtarët shfaqen unanimë mbi problemin por të ndarë në rrugëzgjidhje, Rama tha se grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjeve në legjislacion.
3. Sipas tij, pala e vetme e “përmbushur” nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, i cili në kushtet e kësaj mase mund të vijojë qetësisht hetimin, ndërkohë që – deri në adresimin ligjor të çështjes – nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK-ut pas rënies së masës së mëparshme.
Shtesë / qëndrim
Rama theksoi se SPAK-u nuk preket, por mbështetet, ndërsa liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar këdo dhe çfarëdo, sipas tij, jo vetëm që nuk cenohen, por garantohen.
Po ashtu, kryeministri nënvizoi se pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv nuk vihet në diskutim, por synohet të forcohet përmes qartësimit ligjor.










