Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat e dhunshme, gjatë një deklarate për mediat në prani të forcave të Policisë së Shtetit, duke dënuar sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve.
Rama deklaroi se personat e maskuar që përdorin molotovë, gurë dhe mjete të tjera kundër policisë nuk i konsideron studentë, por njerëz që, sipas tij, synojnë të krijojnë rrëmujë dhe kaos.
Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu partitë politike që, sipas tij, mbështesin dhunën, duke theksuar se në vendet e tjera europiane ku zhvillohen protesta nuk ka përkrahje politike për sulmet ndaj policisë dhe institucioneve.
“Është fatkeqësi kombëtare shumë e madhe që forcat e policisë, që janë për të mbrojtur shtetin, janë jo vetëm nën sulmin e gurëve, por edhe nën sulmin e ekraneve. Kjo është rrënqethëse”, u shpreh Rama.
Ai i cilësoi protestuesit e dhunshëm si “qenie të verbëra” dhe “njerëz pa shkollë”, duke i akuzuar se adhurojnë molotovët, llastiqet me vida dhe përplasjet me policinë.
Sipas Ramës, dhuna po shfrytëzohet nga forca politike që synojnë destabilizimin e vendit, ndërsa dënoi edhe sulmet ndaj bizneseve, duke theksuar se dëmtimi i tyre prek drejtpërdrejt familjet që sigurojnë jetesën përmes këtyre aktiviteteve.










